Buxheti mbyll 6-mujorin me 561 milionë euro suficit
Të ardhurat u rritën më shpejt se shpenzimet, duke krijuar një suficit prej 52.8 miliardë lekësh në gjysmën e parë të vitit.
Buxheti i shtetit e mbylli gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 me një suficit prej rreth 52.8 miliardë lekësh, ose afërsisht 561 milionë euro, pasi të ardhurat u rritën me ritëm më të shpejtë se shpenzimet publike. Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale arritën në 410.6 miliardë lekë, me një rritje prej 44.5 miliardë lekësh ose 12.2% krahasuar me periudhën janar-qershor 2025. Plani i gjashtëmujorit u tejkalua me 5%, ndërsa deri në fund të qershorit ishte realizuar 49.9% e planit vjetor të të ardhurave.
Në të njëjtën periudhë, shpenzimet e përgjithshme publike arritën në 357.8 miliardë lekë, ose 97.4% të planit. Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, ato u rritën me 24.8 miliardë lekë ose 7.5%. Diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve u krijua nga tejkalimi i planit të arkëtimeve dhe mosrealizimi i plotë i fondeve të programuara.
TVSH-ja në vend rritet me 25.4%
Tatimet dhe Doganat mblodhën së bashku 260.1 miliardë lekë, rreth 17.8 miliardë lekë ose 7.3% më shumë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Arkëtimet rezultuan gjithashtu 4.4 miliardë lekë ose 1.7% mbi planin e periudhës. Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore arritën në 141.5 miliardë lekë, me rritje prej 12.9 miliardë lekësh ose 10% në raport me një vit më parë, ndërsa plani u tejkalua me 6.3 miliardë lekë ose 4.6%.
Kontributin më të madh e dha TVSH-ja neto e arkëtuar në vend, e cila arriti në 41.6 miliardë lekë. Të ardhurat nga ky zë u rritën me 8.4 miliardë lekë ose 25.4% krahasuar me një vit më parë dhe rezultuan 6.3 miliardë lekë ose 17.9% mbi plan. Gjatë periudhës janar-qershor u dhanë gjithashtu 7.9 miliardë lekë rimbursime të TVSH-së.
Tatimi mbi fitimin mbetet nën pritshmëri
Në kahun tjetër, tatimi mbi fitimin mbeti ndjeshëm nën plan. Arkëtimet arritën në 31.1 miliardë lekë, sa 85.2% e objektivit të gjashtëmujorit, duke shënuar një mosrealizim prej rreth 14.8%. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 47.6 miliardë lekë, me rritje prej 6.8 miliardë lekësh ose 16.6% krahasuar me një vit më parë, ndërsa plani u tejkalua me 6.3 miliardë lekë ose 15.4%. Taksat nacionale sollën 21.3 miliardë lekë dhe realizuan 95.6% të planit.
Kontributet e sigurimeve tejkalojnë planin
Të ardhurat nga fondet speciale, ku përfshihen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, arritën në 99.2 miliardë lekë. Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, arkëtimet u rritën me 11.6 miliardë lekë ose 13.3%, ndërsa plani i periudhës u realizua në masën 102.8%. Rritja e kontributeve ishte një nga burimet kryesore të zgjerimit të të ardhurave publike gjatë gjysmës së parë të vitit.
Doganat mbeten nën plan
Administrata doganore mblodhi 118.6 miliardë lekë nga TVSH-ja në import, akcizat, taksat doganore dhe renta minerare. Të ardhurat u rritën me 4.9 miliardë lekë ose 4.3% në raport me një vit më parë, por realizuan vetëm 98.5% të planit. TVSH-ja në import arriti në 79.1 miliardë lekë, me rritje prej 3.2 miliardë lekësh ose 4.2%, ndërsa plani u realizua në masën 98.7%.
Të ardhurat nga akciza arritën në 33.6 miliardë lekë, me rritje prej 1.5 miliardë lekësh ose 4.6% krahasuar me një vit më parë. Realizimi ishte 98.6% e planit, rreth 492 milionë lekë nën objektiv. Renta minerare në eksport solli 923 milionë lekë, duke realizuar vetëm 84.8% të planit, një nga nivelet më të ulëta të realizimit. Taksat doganore arritën në 5 miliardë lekë, me rritje prej 463 milionë lekësh ose 10.3%, por realizuan 96.2% të planit.
Investimet publike tejkalojnë planin
Shpenzimet kapitale arritën në 36.8 miliardë lekë, duke realizuar 103.8% të fondeve të planifikuara për gjashtëmujorin. Krahasuar me periudhën janar-qershor 2025, investimet publike u rritën me rreth 3.4 miliardë lekë ose 10.2%. Shpenzimet korente arritën në 321.1 miliardë lekë, me realizim prej 97.4% të planit dhe me rritje vjetore prej rreth 21.4 miliardë lekësh ose 7.2%.
Të dhënat tregojnë se, megjithëse shpenzimet kapitale tejkaluan planin e periudhës, shpenzimet publike në total mbetën rreth 2.6% nën fondet e programuara. Ndërkohë, rritja e fortë e të ardhurave nga TVSH-ja në vend, tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve zgjeroi diferencën mes arkëtimeve dhe shpenzimeve gjatë gjysmës së parë të vitit.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)